UShAF shënon Muajin Rozë me aktivitete studentore dhe mesazhe ndërgjegjësimi

Në kuadër të Muajit Rozë, muajit ndërkombëtar të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) u organizua një aktivitet i veçantë, i cili bashkoi studentët dhe stafin akademik në një atmosferë solidariteti dhe mbështetjeje për gratë që përballen me këtë sëmundje.

Në këtë aktivitet, studentët e Fakultetit të Arteve të Aplikuara prezantuan një ekspozitë me punime artistike kushtuar Muajit Rozë, ndërsa studentët e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, përgatitën një koktej simbolik me elemente dhe dekorime që pasqyronin simbolikën e këtij muaji.

Aktiviteti u organizua me iniciativën dhe angazhimin e mësimdhënëses Lejla Ibrahimi, me mbështetjen e dekaneve të dy fakulteteve, Blerina Bytyçi dhe Lebibe Topalli.

Me këtë rast, Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, theksoi se Muaji Rozë na kujton sa e çmuar është jeta dhe sa e rëndësishme është të kujdesemi për shëndetin tonë dhe për njëri-tjetrin. Ai u shpreh se zbulimi i hershëm i kancerit të gjirit mund të shpëtojë jetë, ndërsa për gratë që përballen me këtë sëmundje, mbështetja dhe përkujdesja njerëzore kanë një rëndësi të veçantë. Rektori falënderoi studentët dhe organizatorët për përkushtimin e tyre në realizimin e aktivitetit.

Mësimdhënësja Lejla Ibrahimi falënderoi studentët për kreativitetin, përkushtimin dhe angazhimin e tyre në realizimin e këtij aktiviteti, duke vlerësuar mënyrën se si përmes punës dhe ideve të tyre arritën të krijojnë një atmosferë të veçantë dhe të përcjellin mesazhe të rëndësishme njerëzore. Ajo theksoi se Muaji Rozë është një kujtesë për të gjithë ne që të tregojmë më shumë dashuri, mirëkuptim dhe solidaritet, jo vetëm gjatë këtij muaji, por çdo ditë.

Të pranishmit i përshëndetën edhe dekanet Bytyçi e Topalli, të cilat përgëzuan studentët për kreativitetin dhe punën e tyre, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërmjet dy fakulteteve dhe rëndësinë e përfshirjes së studentëve në aktivitete me karakter shoqëror e human.

Ndërkaq, Kryetari i Parlamentit Studentor të UShAF, Valton Dernjani, vlerësoi angazhimin e studentëve dhe theksoi se iniciativa të tilla janë dëshmi e gatishmërisë së të rinjve për të kontribuar në çështje që kanë rëndësi për komunitetin, përtej angazhimeve të tyre akademike.

Ekspozita artistike dhe kokteji simbolik i përgatitur nga studentët i dhanë këtij aktiviteti një atmosferë të ngrohtë, ku ngjyra rozë nuk ishte vetëm pjesë e punimeve dhe dekorimeve, por edhe një kujtesë për rëndësinë e shëndetit, shpresës dhe mbështetjes për gratë që përballen me kancerin e gjirit.