Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), sot, më 1 tetor 2026, shënoi fillimin e vitit të ri akademik 2026/2027, me një ceremoni mirëseardhjeje për studentët, e në veçanti për studentët e vitit të parë, të cilët nga sot bëhen pjesë e UShAF.

Në ceremoninë e mbajtur në ambientet e UShAF, morën pjesë menaxhmenti i Universitetit, stafi akademik dhe administrativ, si dhe studentët.

Në fjalën e tij, Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, u uroi studentëve mirëseardhje dhe një fillim të mbarë të vitit akademik, duke iu drejtuar veçanërisht studentëve që për herë të parë hynë në Universitet. Ai theksoi se UShAF, si universitet i shkencave të aplikuara, e lidh arsimin drejtpërdrejt me praktikën, industrinë dhe tregun e punës, ndërsa përmes programeve të akredituara, laboratorëve, projekteve dhe partneriteteve ndërkombëtare krijon mundësi të reja për studentët.

“Universitetin e bëjnë njerëzit. Universitetin e bëni ju”, tha Rektori Bajraktari, duke i inkurajuar studentët që vitet e studimit të mos i shohin vetëm si rrugë drejt diplomës, por si mundësi për të fituar dije, profesion dhe përvoja që do t’i përgatisin për të ardhmen.

Një pjesë të fjalës së tij Rektori ia kushtoi edhe sfidës me të cilën UShAF është përballur gjatë muajve të fundit. Ai falënderoi studentët, stafin, institucionet, komunat, universitetet, bizneset, partnerët, veteranët dhe qytetarët që dolën në mbrojtje të Universitetit, duke ritheksuar mesazhin: “Universitetet nuk mbyllen. Ato mbrohen.” Ai tha se UShAF nuk do të dorëzohet kur bëhet fjalë për mbrojtjen e Universitetit dhe të së drejtës së të rinjve për arsimim cilësor.

Rektori Bajraktari kujtoi me respekt dëshmorët e kombit, Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, veteranët dhe të gjithë luftëtarët e lirisë, duke theksuar se falë sakrificës së tyre të rinjtë sot kanë mundësinë të studiojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen në një Kosovë të lirë. Duke folur për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, ai ftoi studentët dhe stafin që sot, në ora 14:00, të mblidhen te Salla e Sporteve në Ferizaj, prej nga do të nisen autobusët drejt Prishtinës për t’iu bashkuar protestës gjithëpopullore në mbrojtje të çlirimtarëve.

Studentëve iu drejtua edhe Kryetari i ri i Parlamentit Studentor, Valton Dernjani, i cili sot filloi mandatin e tij. Ai u uroi mirëseardhje studentëve të rinj, falënderoi Rektorin dhe profesorët për mbështetjen e vazhdueshme ndaj studentëve dhe vlerësoi bashkimin e studentëve në mbrojtje të UShAF-it. “Do të jem zëri juaj”, ishte mesazhi i tij, duke i ftuar studentët për komunikim, bashkëpunim dhe angazhim të përbashkët.

Ceremonia u përmbyll me urimet për një vit të mbarë akademik, me shumë suksese, dije dhe mundësi të reja për të gjithë studentët.