UShAF dërgon në Prokurori tre anëtarët e Këshillit Drejtues për veprime të dyshuara në kundërshtim me ligjin, Statutin dhe rregulloren e punës
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) njofton opinionin publik se ka paraqitur kallëzim penal në Prokurorinë Themelore në Ferizaj ndaj tre anëtarëve të Këshillit Drejtues të emëruar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës: Ramadan Beqiri, Ilmi Reçica dhe Alban Maliqi.
Kallëzimi penal është paraqitur lidhur me veprimet e tyre më 11 shtator 2026, kur, sipas dokumentacionit në posedim të Universitetit, është zhvilluar një takim i Këshillit Drejtues pa kuorumin e përcaktuar me Statut, pa respektimin e procedurave për rendin e ditës dhe në kundërshtim me rregullat për thirrjen e mbledhjeve.
Paragrafi 2 i nenit 19 të Statutit të UShAF-it përcakton se për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit Drejtues nevojitet kuorumi prej katër (4) anëtarëve, ndërsa dispozitat e Statutit dhe Rregullores së Punës përcaktojnë procedurat për propozimin e rendit të ditës dhe thirrjen e mbledhjeive.
UShAF vlerëson se veprimet e tilla, nëse konstatohen nga organet kompetente, mund të përbëjnë tejkalim të kompetencave zyrtare dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, sipas legjislacionit penal në fuqi.
UShAF i beson institucioneve të drejtësisë së Republikës së Kosovës dhe pret që rasti të hetohet në mënyrë profesionale, të paanshme dhe në përputhje të plotë me ligjin.
UShAF do të vazhdojë të mbrojë ligjshmërinë, autonominë institucionale dhe funksionimin e rregullt të organeve të Universitetit.
Ligji, Statuti dhe procedurat institucionale janë të detyrueshme për të gjithë, pa përjashtim.
