UShAF në mbështetje të Marshit për Liri – Kosova nuk i harron çlirimtarët
Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) mbështet Marshin për Liri, që do të mbahet më 12 shtator në Prishtinë, duke iu bashkuar zërit qytetar në mbështetje të çlirimtarëve dhe në mbrojtje të vlerave mbi të cilat u ndërtua liria e Kosovës, sepse liria që e gëzojmë sot nuk na është dhuruar. Ajo është fituar me luftë, sakrificë dhe me shumë jetë të dhëna për Kosovën.
UShAF edhe më herët ka qëndruar pranë vlerave të luftës çlirimtare dhe atyre që i shërbyen vendit në ditët më të vështira. Sot, kur ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, vazhdojnë të mbahen në Hagë, besojmë se është e rëndësishme që zëri për drejtësi të dëgjohet. Të kërkosh drejtësi për ta do të thotë të kërkosh një proces të drejtë, të paanshëm dhe dinjitoz, duke respektuar njëkohësisht të vërtetën dhe historinë e luftës sonë për liri.
Si institucion publik i arsimit të lartë që edukon brezat e rinj, UShAF beson se kemi përgjegjësi ta ruajmë kujtesën tonë historike dhe t’ua përcjellim atë brezave që vijnë. Të rinjtë duhet ta dinë se pas lirisë që gëzojnë sot qëndrojnë sakrifica, dhimbja dhe qëndresa e një populli të tërë, si dhe lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Më 12 shtator, qytetarë nga e gjithë Kosova do të bashkohen në Prishtinë për të marshuar paqësisht për lirinë, drejtësinë dhe dinjitetin. Edhe UShAF i bashkohet këtij zëri, me respekt për secilin që luftoi, për secilin që sakrifikoi dhe për të gjithë ata që dhanë gjithçka që ne sot të jetojmë të lirë.
Historia jonë nuk harrohet. Sakrifica për liri nuk harrohet. Çlirimtarët nuk harrohen.
Më 12 shtator, Kosova marshon për liri!
