Derisa ministri Hajrulla Çeku synon mbylljen e Universitetit, Bashkimi Evropian vazhdon të investojë në të, UShAF fiton projektin e tretë Erasmus+ brenda një jave

Ndërkohë që ministri në detyrë i Arsimit, Hajrulla Çeku, vazhdon përpjekjet për mbylljen e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Bashkimi Evropian po jep një mesazh krejtësisht tjetër: universiteti ynë vazhdon të fitojë besimin e institucioneve evropiane dhe të përzgjidhet në programet më konkurruese ndërkombëtare.

Brenda vetëm një jave, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka fituar tre projekte ndërkombëtare Erasmus+, duke dëshmuar se vlerësimi ndërkombëtar për universitetin është diametralisht i kundërt me qasjen që po ndiqet ndaj tij në nivel vendor.

Universiteti është njoftuar zyrtarisht se është përfitues i projektit KA220-VET-DBA1BA78, duke shënuar kështu projektin e tretë të fituar vetëm gjatë kësaj jave.

Projekti ka për qëllim modernizimin e arsimit profesional dhe universitar në fushën e industrisë së mobilieve përmes zhvillimit të kurrikulave të reja, analizimit të nevojave të tregut evropian, përgatitjes së materialeve moderne të trajnimit, krijimit të një platforme shumëgjuhësore e-learning dhe organizimit të trajnimeve praktike për studentët.

Në konsorciumin ndërkombëtar marrin pjesë universitete, oda ekonomike dhe organizata profesionale nga Polonia, Italia, Sllovenia, Shqipëria, Bullgaria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Kosova, duke e bërë Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj pjesë të një rrjeti të rëndësishëm evropian të zhvillimit akademik dhe industrial.

Ky projekt i shtohet edhe dy projekteve të fituara pak ditë më parë:

  • Forcimi i Qeverisjes dhe Kapacitetit Profesional të Sigurimit të Cilësisë në Arsimin e Lartë;
  • Ndërtimi i Kapaciteteve Arsimore për Përdorimin e Inteligjencës Artificiale.

Tre projekte Erasmus+ të fituara brenda një jave nuk janë rastësi. Ato janë rezultat i punës së vazhdueshme të stafit akademik dhe administrativ, i cilësisë së programeve studimore, i kapaciteteve profesionale të universitetit dhe i besimit që partnerët evropianë kanë ndërtuar ndaj këtij institucioni.

Projektet Erasmus+ nuk ndahen me vendime politike dhe as me simpati institucionale. Ato fitohen vetëm pas një procesi rigoroz vlerësimi ndërkombëtar, ku konkurrenca zhvillohet mes universiteteve nga dhjetëra shtete. Pikërisht në këtë garë, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka dëshmuar se i përmbush standardet më të larta evropiane.

Është paradoksale që, ndërsa Bashkimi Evropian vazhdon të investojë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, duke e konsideruar një partner të besueshëm për zhvillimin e arsimit të lartë, në Kosovë vazhdojnë përpjekjet për ta mbyllur pikërisht këtë institucion.

Kjo ngre një pyetje të thjeshtë, por thelbësore: si mund të konsiderohet i panevojshëm një universitet që Bashkimi Evropian vazhdon ta financojë, ta vlerësojë dhe ta përfshijë në projektet më prestigjioze të arsimit të lartë?

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj nuk është vetëm një institucion arsimor. Ai është një promotor i zhvillimit rajonal, një urë lidhëse ndërmjet arsimit dhe industrisë, një partner i besueshëm i universiteteve evropiane dhe një ambasador i Kosovës në hapësirën akademike ndërkombëtare. Çdo projekt i fituar sjell investime, shkëmbim përvojash, mobilitet ndërkombëtar, zhvillim të programeve studimore, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe mundësi të reja për studentët dhe stafin akademik.

Prandaj, çdo përpjekje për mbylljen e këtij universiteti nuk është vetëm një vendim administrativ. Ajo përbën një goditje ndaj zhvillimit të arsimit të lartë, ndaj studentëve të Kosovës, ndaj partneriteteve ndërkombëtare dhe ndaj investimeve që Bashkimi Evropian po i bën në vendin tonë.

Rezultatet flasin më qartë se çdo deklaratë politike. Tre projekte Erasmus+ të fituara brenda një jave janë dëshmia më e fortë se Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj ka kredibilitet ndërkombëtar, ka kapacitet, ka vizion dhe ka të ardhme.

Ne do të vazhdojmë të punojmë me profesionalizëm, të ndërtojmë partneritete të reja, të sjellim investime ndërkombëtare dhe të krijojmë mundësi gjithnjë e më të mëdha për studentët tanë, sepse besojmë se rezultatet, e jo vendimet politike, janë matësi i vërtetë i vlerës së një universiteti.