Reagon Parlamenti Studentor i UShAF-it: Financimi i universitetit është investim për të ardhmen e studentëve!

Në emër të studentëve të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, shprehim shqetësimin tonë të thellë ndaj veprimit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës  për planifikimin e buxhetit zero për UShAF-in, një vendim që cenon drejtpërdrejt funksionimin e universitetit.

Ky vendim prek thellësisht interesin e studentëve që studiojmë në këtë universitet dhe ua mohon studentëve aktualë dhe atyre të ardhshëm mundësinë për të studiuar në universitetin e vetëm publik të shkencave të aplikuara në Kosovë, një universitet për të cilin interesimi rritet çdo vit.

Ne, si studentë, duam ta bëjmë të qartë se nuk studiojmë në një universitet të dështuar. Përkundrazi, kemi zgjedhur UShAF-in pikërisht për shkak të cilësisë së studimeve, modelit unik të arsimit të aplikuar, afërsisë me studentët, përkushtimit të stafit, bashkëpunimit me bizneset dhe universitetet ndërkombëtare, si dhe angazhimit të vazhdueshëm për të na përgatitur për tregun e punës dhe për të krijuar mundësi reale punësimi.

Si përfaqësues të studentëve të UShAF-it, jemi pjesë e secilit proces vendimmarrës brenda universitetit dhe e njohim nga afër punën, përkushtimin dhe zhvillimin e tij. Nuk do të lejojmë të zhvlerësohet dija dhe diploma e qindra studentëve që kanë diplomuar, si dhe e atyre që do të diplomojnë në UShAF.

Si rrjedhojë, kërkojmë nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit që, me urgjencë, ta korrigjojë Qarkoren Buxhetore, t’i sigurojë UShAF-it financimin e nevojshëm për funksionim normal dhe ta trajtojë me dinjitet e në mënyrë të barabartë me universitetet e tjera publike të Kosovës.

Ne besojmë se çdo student në Kosovë duhet të ketë mundësi të barabartë për të zgjedhur institucionin publik ku dëshiron të studiojë dhe për të ndjekur arsimin në kushte të dinjitetshme.

Studentët e UShAF-it mbeten të përkushtuar për ta mbështetur universitetin e tyre dhe shpresojnë që kjo çështje të zgjidhet përmes dialogut institucional dhe vendimmarrjes që vendos në qendër interesin e studentëve dhe të arsimit të lartë në Kosovë.

Blerona Duga
Kryetare e Parlamentit Studentor të UShAF-it