Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), përmes Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, organizoi me sukses Summer School 2026 “Historic Buildings in Ferizaj”, një aktivitet akademik ndërkombëtar kushtuar studimit, dokumentimit dhe promovimit të trashëgimisë arkitekturore dhe kulturore të Ferizajt.
Në Shkollën Verore morën pjesë studentë nga Austria dhe Kosova, së bashku me profesorët Lutz Dorsch dhe Hermann Huber. Programi përfshiu ligjërata, punëtori praktike dhe aktivitete në terren, me fokus në analizimin, dokumentimin dhe ruajtjen e objekteve historike.
Në frymën e zhvillimit të qëndrueshëm, pjesëmarrësit përdorën biçikletat si mjet transporti gjatë vizitave në objekte të ndryshme historike të Ferizajt, duke promovuar mobilitetin e gjelbër dhe mbrojtjen e mjedisit.
Si rast studimi u përzgjodh Xhamia e Berishajve, një monument me vlera të veçanta historike dhe kulturore. Gjatë punës në terren u realizuan vizita studimore (site visits), analiza arkitekturore dhe teknike për identifikimin e gjendjes së objektit dhe evidentimin e dëmtimeve. Objekti u digjitalizua përmes teknologjisë së skanimit 360°, duke krijuar një model virtual që shërben për dokumentim, analiza të mëtejshme dhe mbështetje të proceseve të restaurimit.
Në kuadër të programit u prezantuan gjithashtu edhe objekte historike nga Salzburgu i Austrisë, duke krijuar mundësi për shkëmbimin e përvojave dhe krahasimin e praktikave në fushën e dokumentimit dhe ruajtjes së trashëgimisë kulturore.
Në përmbyllje të programit, studentët prezantuan rezultatet e punës së tyre para stafit akademik, profesorëve ndërkombëtarë, përfaqësuesve të Komunës së Ferizajt, sektorit për Trashëgimi Kulturore dhe akterëve të tjerë relevantë.
Në realizimin e programit nga Fakulteti i Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit u angazhuan Ligj. MSc. Kushtrim Cukaj, Prof. Asoc. Dr. Rrahim Sejdiu, Ligj. MSc. Faton Spahiu dhe Ligj. MSc. Lulzim Idrizi, të cilët udhëhoqën ligjëratat, aktivitetet në terren dhe punëtoritë praktike.
Me rastin e përmbylljes së Shkollës Verore, Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe Dekani i Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, Ligj. Dr. Sc. Bujar Jashari, përgëzuan studentët dhe profesorët për angazhimin dhe rezultatet e arritura, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar, mësimit praktik dhe aktiviteteve që kontribuojnë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
Summer School 2026 dëshmoi edhe një herë përkushtimin e UShAF-it për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë, zhvillimin e mësimit praktik dhe forcimin e bashkëpunimit me universitetet partnere, duke promovuar njëkohësisht vlerat historike dhe kulturore të qytetit të Ferizajt









. 

