Studentët e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), nga programet Menaxhment në Hotelieri dhe Turizëm dhe Menaxhimi dhe Inovacioni në Turizëm, realizuan një vizitë studimore në Stamboll të Turqisë, të shoqëruar nga Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, Dekanja e Fakultetit të Turizmit dhe Ambientit, Blerina Bytyçi, si dhe profesorët Flamur Salihu, Etleva Blakaj dhe Pajtim Rrustemi.
Vizita u organizua me qëllim të pasurimit të njohurive akademike dhe profesionale të studentëve, duke krijuar mundësi për të parë nga afër ndërthurjen e trashëgimisë kulturore, zhvillimit urban dhe industrisë së turizmit në një nga destinacionet më të njohura në botë.
Gjatë qëndrimit në Stamboll, studentët vizituan qendrën historike të qytetit, ku patën mundësi të njihen me monumente ikonike si Hagia Sophia, dëshmi e historisë së pasur shumë shekullore, Pallati Topkapi, dikur zemra e Perandorisë Osmane, Xhamia Blu, si një nga simbolet më të njohura arkitekturore të qytetit, si dhe Basilica Cistern dhe Sheshi i Hipodromit, vende që ruajnë gjurmë të qytetërimeve të ndryshme. Përvoja u pasurua edhe me vizita në Grand Bazaar dhe Spice Bazaar, hapësira që vazhdojnë të reflektojnë traditën tregtare dhe identitetin kulturor të Stambollit.
Në kuadër të aspektit profesional të vizitës, studentët zhvilluan vizitë në Galataport Istanbul dhe në objekte hoteliere, duke u njohur nga afër me praktikat bashkëkohore të menaxhimit në turizëm dhe hotelieri. Po ashtu, vizita pranë Bosforit dhe pamjet nga Pallati Dolmabahçe dhe Xhamia Ortaköy sollën një përjetim të veçantë të harmonisë mes historisë, arkitekturës dhe zhvillimit modern të qytetit.
Përmes kësaj vizite studimore, studentët patën mundësinë të lidhin njohuritë e fituara gjatë studimeve me përvoja konkrete nga sektori i turizmit dhe hotelierisë, duke fituar një perspektivë më të gjerë profesionale dhe ndërkombëtare.
Krahas pjesës akademike, nuk munguan as momentet e këndshme, relaksi dhe përjetimet e bukura mes kolegëve, të cilat e bënë këtë vizitë jo vetëm një përvojë mësimore, por edhe një kujtim të veçantë nga jeta studentore.






