Studentët e Fakultetit të Inxhinierisë dhe Informatikës, të shoqëruar nga dekani, Prof. Asoc. Dr. Bashkim Çerkini, realizuan një vizitë studimore në Kampin Bondsteel.
Gjatë vizitës, ata u njohën nga afër me funksionimin e Departamentit për Trajtimin e Ujit të Pijshëm, Departamentit për Trajtimin e Ujërave të Zeza, si dhe Departamentit HAZMAT. Delegacioni u mirëprit nga ASG Balkans Acting Commander, LTC Miguel Cisneros, DPW Director, Lan D. Berhorn, dhe CSM Darren McDow.
Gjatë takimit, LTC Miguel Cisneros foli për rëndësinë e pranisë së trupave amerikane në rajon dhe për rolin e tyre në ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit. Ai gjithashtu prezantoi mundësitë që Kampi Bondsteel u ofron studentëve për realizimin e praktikës profesionale (internship), duke theksuar gatishmërinë e tij për bashkëpunime të mëtejshme me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj.
Në fund, LTC Cisneros shprehu dëshirën që, së bashku me ekipin e tij, të vizitojë Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, me synim forcimin e marrëdhënieve institucionale dhe zgjerimin e bashkëpunimit në të ardhmen.
Falënderojmë DPW Environmental Engineer, z. Kujtim Aliu, për kontributin dhe mbështetjen e tij në organizimin dhe realizimin e kësaj vizite.




