Në kuadër të programit Erasmus+, gjatë muajve maj dhe qershor, stafi akademik i Fakultetit të Menaxhmentit në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj realizoi me sukses mobilitete ndërkombëtare për mësimdhënie në universitete partnere në Turqi dhe Poloni.

Në muajin maj, Prof. Asoc. Dr. Arben Tërstena zhvilloi mobilitet për mësimdhënie në Çankiri Karatekin University në Turqi, ndërsa në muajin qershor, Prof. Asoc. Dr. Ismail Mehmeti realizoi mobilitet në University of Technology and Arts in Applied Sciences në Varshavë të Polonisë.

Gjatë qëndrimit në universitetet pritëse, profesorët mbajtën ligjërata për studentët në fushat e menaxhmentit, ndërmarrësisë, të drejtës biznesore, produktit dhe çmimit, duke prezantuar praktika bashkëkohore dhe qasje inovative në procesin e mësimdhënies. Ligjëratat u karakterizuan nga diskutime interaktive, analiza të rasteve studimore dhe shkëmbim idesh mbi sfidat dhe mundësitë që ofron mjedisi bashkëkohor i biznesit.

Mobilitetet shërbyen gjithashtu si mundësi për zhvillimin e takimeve profesionale me stafin akademik dhe studentët e universiteteve partnere. Gjatë këtyre takimeve u diskutua për metodat moderne të mësimdhënies, zhvillimin e kurrikulave, digjitalizimin e arsimit dhe praktikat më të mira për avancimin e cilësisë në arsimin e lartë. Studentët treguan interes për sistemin e arsimit të lartë në Kosovë, mundësitë e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe programet e shkëmbimit akademik, duke krijuar një atmosferë të hapur për ndarjen e përvojave dhe perspektivave ndërkombëtare.

Pjesëmarrja në këto mobilitete ka kontribuar në zhvillimin profesional të stafit akademik, forcimin e bashkëpunimit me universitetet partnere dhe avancimin e procesit mësimor. Përvojat e fituara do të reflektohen në pasurimin e përmbajtjeve akademike, aplikimin e metodologjive bashkëkohore të mësimdhënies dhe zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar të Fakultetit të Menaxhmentit.