Një delegacion i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), i udhëhequr nga Rektori Prof. Dr. Agron Bajraktari, realizoi një vizitë në komunitetin arbëresh në Kalabri, Itali, ku u zhvilluan aktivitete artistike, kulturore dhe akademike me fokus promovimin e artit, trashëgimisë kulturore dhe bashkëpunimit ndërinstitucional.

Në kuadër të vizitës, artistë dhe studentë realizuan disa murale nën udhëheqjen e artistes dhe dekanes së Fakultetit të Arteve të Aplikuara, Prof. Lebibe Topalli Shabani. Gjithashtu, u organizuan diskutime publike me temën “Roli i artit në ruajtjen e traditës dhe trashëgimisë kulturore”, me pjesëmarrjen e Rektorit Bajraktari dhe dekanes Topalli.

Një moment i veçantë i programit ishte prezantimi i ekspozitës digjitale të studentëve të Fakultetit të Arteve të Aplikuara, e realizuar nën koordinimin e studentit Erti Krivanjeva, përmes së cilës u promovua krijimtaria dhe potenciali artistik i studentëve të këtij fakulteti.

Programi u pasurua gjithashtu me aktivitete kulturore, muzikë tradicionale arbëreshe dhe vizita në komunat arbëreshe të Pallagorios, Carfizzit dhe Shën Nikollës. Delegacioni i UShAF, i përbërë nga Rektori Bajraktari, Dekanja Lebibe Topalli Shabani, Prof. Florit Hoxha, Prof. Faton Spahiu dhe Prof. Labinot Topalli, u prit nga drejtuesit e këtyre komunave, ku u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në fushën e artit, kulturës, arsimit dhe shkëmbimeve ndërinstitucionale.

Aktivitetet u organizuan nga Fili Meridiani në bashkëpunim me Mural Fest Kosova, në partneritet me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (DKRS) në Ferizaj.

Kjo vizitë përfaqësoi një mundësi të vlefshme për forcimin e lidhjeve me komunitetin arbëresh dhe për thellimin e bashkëpunimit në fushën e artit, kulturës dhe arsimit, duke dëshmuar se trashëgimia kulturore dhe krijimtaria artistike mbeten ura të rëndësishme që lidhin brezat dhe ruajnë identitetin tonë të përbashkët.