Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) organizoi ceremoninë solemne të ndarjes së titullit më të lartë akademik “Doctor Honoris Causa” për Profesor Iraj Hashi, si dhe të titullit “Anëtar Nderi i Universitetit” për Profesor Muhamet Mustafa dhe Profesor Ymer Havolli, në shenjë vlerësimi për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë, kërkimin shkencor, si dhe në mbështetjen e zhvillimit dhe ndërkombëtarizimit të UShAF.

Ceremonia u mbajt në një atmosferë solemne, në praninë e përfaqësuesve nga institucione vendore, stafit akademik dhe studentëve. Ajo u hap me intonimin e Himnit të Flamurit, atij të Kosovës, britanik dhe himnit të Akademisë. Programi u pasurua edhe me një përkujtim kushtuar kontributit dhe sakrificës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Në fjalën e tij, Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, theksoi rëndësinë e nderimit të tre personaliteteve që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në zhvillimin e dijes, shkencës dhe institucioneve akademike. Ai vlerësoi kontributin e tyre të çmuar në arsimin e lartë dhe mbështetjen e vazhdueshme për UShAF.

Gjatë ceremonisë, Rektori prezantoi veprimtarinë akademike dhe shkencore të Prof. Dr. Iraj Hashit, ekonomist me reputacion ndërkombëtar dhe profesor me mbi katër dekada përvojë në Mbretërinë e Bashkuar. Kontributi i tij përfshin projekte dhe publikime shkencore, si dhe mbështetje në modernizimin e arsimit të lartë dhe zhvillimin e kapaciteteve kërkimore në Kosovë përmes programeve TEMPUS dhe Erasmus+, në bashkëpunim me Universitetin e Prishtinës dhe Institutin Riinvest. Ai ka kontribuar gjithashtu në zhvillimin akademik dhe ndërkombëtarizimin e UShAF, ndërsa puna e tij është vlerësuar me titullin MBE nga Qeveria Britanike dhe Medaljen Presidenciale të Meritës nga Presidentja e Republikës së Kosovës. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë, shkencë dhe mbështetjen e zhvillimit akademik të universitetit, Senati i UShAF i akordoi Prof. Dr. Iraj Hashit titullin më të lartë akademik, “Doctor Honoris Causa”.

Më pas, Rektori prezantoi veprimtarinë akademike dhe profesionale të Prof. Muhamet Mustafës, një nga ekonomistët dhe personalitetet më të njohura në Kosovë. Si profesor universitar dhe themelues i Institutit Riinvest, ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e arsimit të lartë, kërkimit shkencor dhe politikave publike në vend, si dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në proceset shtetformuese të Kosovës, përfshirë udhëheqjen e Grupit të Ekspertëve Ekonomikë gjatë negociatave në Vjenë dhe angazhimin në Kuvendin e Kosovës. Veprimtaria e tij shkencore dhe mbështetja për UShAF kanë lënë gjurmë të rëndësishme në zhvillimin akademik dhe ekonomik të vendit, për çka Senati i Universitetit i ndau titullin “Anëtar Nderi i Universitetit”.

Në kuadër të ceremonisë u nderua edhe Prof. Ymer Havolli, profesor i respektuar me mbi tri dekada përvojë në arsimin e lartë, kërkimin shkencor dhe menaxhimin institucional. Gjatë karrierës së tij, ai ka dhënë kontribut të rëndësishëm në formimin e brezave të studentëve dhe zhvillimin e institucioneve akademike e financiare të vendit, si anëtar dhe kryesues i Bordit të Trustit Pensional të Kosovës. Prof. Havolli ka qenë gjithashtu ndër mbështetësit e parë të UShAF, duke kontribuar në konsolidimin dhe zhvillimin e universitetit që nga themelimi i tij, për çka Senati i Universitetit i ndau titullin “Anëtar Nderi i Universitetit”.

Në fjalët e tyre të rastit, profesorët e nderuar falënderuan Rektorin dhe UShAF për vlerësimin e dhënë, duke e cilësuar bashkëpunimin me universitetin si një përvojë të suksesshme dhe duke vlerësuar angazhimin e tij në zhvillimin e arsimit të lartë dhe bashkëpunimit akademik. Këto vlerësime u ndanë nga Senati i UShAF në shenjë nderimi për kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë, shkencë, zhvillim institucional dhe mbështetje të vazhdueshme ndaj universitetit dhe shoqërisë kosovare.