Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), në bashkëpunim me SolaRit Academy, u mbajt punëtoria triditore me temën “Sistemet Solare Fotovoltaike (PV)”, e organizuar nga Prorektorja për bashkëpunim me industri, punë praktike dhe aktivitete komerciale, Etleva Blakaj, në bashkëpunim me përfaqësuesit e SolaRit Academy.

Trajnimi mblodhi studentë, staf akademik dhe pjesëmarrës të interesuar për fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe teknologjive fotovoltaike, duke ofruar njohuri teorike dhe praktike mbi sistemet solare dhe zhvillimet e tyre në Kosovë.

Gjatë dy ditëve të para, pjesëmarrësit u njohën me konceptet bazë të sistemeve solare fotovoltaike, sigurinë në vendin e punës, energjinë solare në Kosovë, me projektimin dhe autorizimin e projekteve, instrumentet matëse, si dhe me klasifikimin dhe llojet e sistemeve fotovoltaike. Poashtu, u trajtuan konstruksionet për instalimin e paneleve solare, komponentet kryesorë të sistemeve, si dhe avantazhet dhe disavantazhet e sistemeve On-Grid, Off-Grid dhe Hibride.

Dita e tretë e punëtorisë iu kushtua pjesës praktike të trajnimit përmes Mobile Training, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të shohin nga afër strukturën, instalimin dhe funksionimin e sistemeve fotovoltaike përmes një konstruksioni të vendosur në kamionetë.

Ky aktivitet synoi avancimin e njohurive profesionale të studentëve dhe promovimin e teknologjive të qëndrueshme energjetike, duke forcuar lidhjen ndërmjet arsimit të aplikuar dhe zhvillimeve bashkëkohore në sektorin e energjisë së ripërtëritshme.