Dekanja e Fakultetit të Arteve të Aplikuara në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Lebibe Topalli Shabani, realizoi një projekt bashkëpunimi ndërinstitucional me Akademinë e Teknologjisë dhe Arteve të Aplikuara në Varshavë (ATA).
Në kuadër të kësaj rezidence artistike u mbajt një ligjëratë publike para studentëve dhe stafit të këtij institucioni, si dhe një punëtori artistike me studentë të interesuar në fushën e artit.
Si rezultat i këtij projekti u realizuan dy murale: një mural bashkëpunues, i zhvilluar me pjesëmarrjen e studentëve nga të dy institucionet, ku nga UShAF morën pjesë studentet Elba Gashi dhe Ensara Bajraktari, si pjesë e procesit krijues të përbashkët, si dhe një mural autorial i realizuar nga artistja dhe dekania Lebibe Topalli.
Studentet tona, Elba dhe Ensara, kontribuan mjaft shumë në këtë projekt, duke përfaqësuar denjësisht fakultetin dhe duke ndarë përvojat dhe angazhimin e tyre në projekte të ndryshme në UShAF.
Muralet u mirëpritën nga stafi dhe studentët e ATA-s, si dhe nga rektori i këtij institucioni Prof. Dr. Piotr Wilczek.
Gjatë realizimit të projektit, në vizitë ishte edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Poloni, z. Drilon Gashi, i cili shprehu mirënjohjen për këtë iniciativë dhe gatishmërinë për të mbështetur projekte të ngjashme në të ardhmen.
Ky projekt u përkrah nga Culture and Creativity for the Western Balkans dhe u realizua në bashkëpunim ndërmjet UShAF dhe ATA.









