Studentët e Fakultetit të Menaxhmentit të Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Yllka Jaha, Drilon Deda dhe Kastriot Jaha, në periudhën Tetor 2025–Janar 2026, morën pjesë në projektin edukativ ndërkombëtar me temën: Bursa Virtuale–“Mësimi rreth Bursës, 2025–2026”, projekt ky i organizuar nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me “Deutsche Sparkassenstiftung für Internationale Kooperation” – Ambasada e Gjermanisë në Prishtinë.

Në kuadër të projektit është organizuar një aktivitet garues ndërmjet studentëve nga të gjitha universitetet e Kosovës, në fushën “Stock Market Learning”. Në këtë garë, studentët e Fakultetit të Menaxhmentit përfaqësuan UShAF-in me sukses të shkëlqyeshëm, duke zënë vendin e dytë.

Më 16.03.2026, ata pranuan shpërblime nga zëvendësambasadori i Gjermanisë në Kosovë, z. Christian Böttcher, dhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, z. Ahmet Ismajli.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, në emër të Rektorit të UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, morën pjesë Dekani i Fakultetit të Menaxhmentit, Prof. Asoc. Dr. Ismail Mehmeti, si dhe Prof. Asoc. Dr. Sokol Krasniqi.

Dekani Mehmeti, theksoi se ky sukses është dëshmi e përkushtimit të profesorëve dhe studentëve të UShAF-it ndaj punës ekipore dhe përgatitjes së tyre akademike, duke theksuar rëndësinë e ndërlidhjes së teorisë me praktikën në procesin e arsimit universitar.

Aktiviteti kishte për qëllim që studentët te realizojnë avancimin e edukimit financiar dhe thellimin e njohurive mbi tregjet e kapitalit, duke kontribuar në ndërlidhjen e teorisë me praktikën në fushën e financave dhe investimeve.