Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) organizoi një aktivitet përkujtimor në nderim të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke kujtuar sakrificën heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe të gjithë dëshmorëve të lirisë.
Në këtë aktivitet morën pjesë stafi akademik dhe administrativ i universitetit, të cilët përmes një momenti reflektimi dhe kujtese nderuan një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së Kosovës, qëndresën heroike të marsit të vitit 1998 në Prekaz.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, në fjalën e tij theksoi rëndësinë historike të Epopesë së UÇK-së dhe sakrificës së familjes Jashari për lirinë e Kosovës.
Ai theksoi se ngjarjet e marsit 1998 nuk ishin vetëm një betejë, por një dëshmi e jashtëzakonshme e dashurisë për atdheun dhe e vendosmërisë për liri. Sipas tij, qëndresa e komandantit Adem Jashari dhe e familjes së tij u shndërrua në simbol të përjetshëm të qëndresës dhe mobilizoi mijëra të rinj që iu bashkuan Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në rrugën drejt çlirimit të vendit.
Rektori Bajraktari theksoi gjithashtu se institucionet arsimore kanë një rol të rëndësishëm në ruajtjen e kujtesës historike dhe në kultivimin e vlerave të lirisë dhe përgjegjësisë qytetare te brezat e rinj.
“Universiteti, si tempull i dijes dhe i edukimit të brezave të rinj, ka një mision të veçantë që të ruajë kujtesën historike dhe të kultivojë vlerat e lirisë, dinjitetit dhe përgjegjësisë qytetare,” theksoi ai.
Gjatë aktivitetit, fjalën e morën edhe profesorët Hysen Sogojeva dhe Agim Thaqi, të cilët ndanë reflektime dhe kujtime për periudhën e luftës, duke folur me krenari dhe me dhimbje për sakrificat e popullit të Kosovës në rrugën drejt lirisë. Në fjalët e tyre, ata përgëzuan dhe falënderuan Rektorin Bajraktari për organizimin e këtij aktiviteti përkujtimor dhe për kujdesin institucional që universiteti po tregon në ruajtjen dhe nderimin e ngjarjeve të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.
Në këtë ditë përkujtimore, u shpreh respekt dhe mirënjohje e thellë për komandantin Adem Jashari, familjen Jashari dhe të gjithë dëshmorët e lirisë, sakrifica e të cilëve mbetet themel i shtetit dhe i lirisë së Kosovës.
Po ashtu, gjatë aktivitetit u shpreh solidaritet dhe mbështetje për bashkëluftëtarët dhe drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me drejtësinë në Hagë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, duke theksuar besimin në drejtësinë dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës.
Në fund të fjalës së tij, Rektori Bajraktari uroi edhe dy data të rëndësishme që shënohen në fillim të marsit: 7 Marsin – Ditën e Mësuesit dhe 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, duke vlerësuar rolin dhe kontributin e mësuesve dhe grave në zhvillimin e shoqërisë.







