Fadil Rexhepi, mbajti një prezantim mbi inteligjencën artificiale dhe përdorimin e të dhënave në fushën e biznesit dhe teknologjisë për studentët e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF)

Me këtë rast, rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, falënderoi z. Rexhepi për ligjëratën dhe kontributin e tij profesional, duke theksuar se UShAF mirëpret dhe inkurajon vazhdimisht organizimin e ligjëratave të tilla nga profesionistë me përvojë ndërkombëtare, në funksion të avancimit të njohurive praktike dhe përgatitjes profesionale të studentëve.

Gjatë prezantimit, z. Rexhepi shpalosi eksperiencën e tij të pasur në menaxhimin e megaprojekteve, duke prezantuar disa nga projektet më prestigjioze ku ka qenë i angazhuar, përfshirë sistemet inteligjente për trajtimin e bagazheve në aeroporte, sistemet e integruara të sigurisë në ndërtesa, konceptin Smart City – binjaku digjital i Shangait, si dhe projektin Dubai Parks and Resort, Dubai.

Në kuadër të ligjëratës, ai ndau gjithashtu me studentët përvojën e tij 26-vjeçare në menaxhimin e projekteve, të fituar në kompani të njohura ndërkombëtare si KBR Inc, Johnson Controls Inc, AtkinsRealis, Siemens, si dhe angazhimin e tij aktual në kompaninë e njohur Toyota në Dubai.

Ky aktivitet u vlerësua si një mundësi e rëndësishme për studentët për t’u njohur nga afër me aplikimet praktike të inteligjencës artificiale dhe menaxhimit të të dhënave në projekte komplekse të biznesit dhe teknologjisë.