Në kuadër të lëndëve “Menaxhimi i Cilësisë” dhe “Konstruksione Arkitektonike”, në programin e studimit Arkitektura e Interierit dhe Dizajni i Mobilieve, janë mbajtur ligjerata profesionale për studentë, nga ligjëruesi mysafir, z. Bujar Demolli, profesionist i dëshmuar në industrinë ndërkombëtare të arkitekturës dhe ndërtimit.

Ligjëratat janë fokusuar në konceptet moderne të menaxhimit të ndërtimit, udhëheqjes së projektit dhe udhëheqjes në kantier, duke trajtuar në mënyrë të integruar organizimin, planifikimin dhe mbikëqyrjen e proceseve ndërtimore, drejtimin e projektit nga faza fillestare deri në realizim, si dhe koordinimin e punimeve praktike me standardet teknike dhe të sigurisë. Përmes përvojave profesionale nga projekte kombëtare dhe ndërkombëtare, studentët kanë pasur mundësi të fitojnë njohuri të zbatueshme në praktikë dhe të thellojnë kompetencat profesionale.

Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj, Prof. Dr. Agron Bajraktari, ka mirëpritur mbajtjen e këtyre ligjëratave, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimeve me profesionistë të fushës dhe angazhimin e diasporës në arsimin e lartë, si një vlerë të shtuar për zhvillimin e cilësisë akademike dhe profesionale në vend.