Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), ka mbajtur ceremoninë solemne të ndarjes së titullit akademik “Doctor Honoris Causa” për tre personalitete me kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin e lartë dhe shkencën shqiptare e ndërkombëtare: Prof. Dr. Adnan Görür, Prof. Dr. Mihallaq Kotro dhe Prof. Dr. Sotir Dimoshi (post mortem).

Ceremonia u hap me intonimin e katër himneve, atë të Kosovës, Shqipërisë, Turqisë dhe himnit të Akademisë, duke i dhënë ngjarjes solemnitet të veçantë. Atmosfera u pasurua nga interpretimi artistik i studentit Valton Dernjani nga Fakulteti i Turizmit dhe Ambientit.

Në fjalimin e tij, Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, theksoi se kjo ngjarje nderon dijen, punën dhe integritetin shkencor. Ai u shpreh se titulli “Doctor Honoris Causa” simbolizon vlerësimin më të lartë akademik që UShAF mund të japë, duke nderuar personalitetet që kanë kontribuar në avancimin e shkencës dhe kanë mbështetur universitetet dhe studentët e Kosovës. Po ashtu, Rektori falënderoi familjet e laureatëve dhe i inkurajoi studentët të vazhdojnë rrugën e dijes, punës dhe përkushtimit.

Gjatë ceremonisë u prezantuan edhe arritjet e Prof. Dr. Adnan Görür, një shkencëtar i njohur në fushën e elektromagnetizmit dhe mikrovalëve, me mbi 150 publikime ndërkombëtare dhe autor i teksteve shkencore, që ka kontribuar fuqishëm në bashkëpunimet akademike mes universiteteve kosovare dhe atyre turke.
Në fjalimin e tij, Prof. Görür theksoi lidhjen historike dhe vëllazërore mes Kosovës dhe Turqisë, duke shprehur krenarinë për studentët kosovarë që janë formuar në Niğde University dhe duke falënderuar UShAF për nderin e madh që i është bërë.

Prof. Dr. Mihallaq Kotro, është një ndër figurat kryesore të shkencave pyjore shqiptare, me karrierë mbi 50-vjeçare, autor i dhjetëra librave dhe artikujve, i cili ka formuar breza të tërë inxhinierësh dhe ka mbajtur pozita udhëheqëse në Universitetin Bujqësor të Tiranës.
Në fjalën e tij, Prof. Kotro u shpreh thellësisht mirënjohës për vlerësimin, duke theksuar kontributin e përbashkët akademik që prej vitit 1992 me qindra studentë nga Kosova dhe rajoni, si dhe bashkëpunimet e shumta shkencore ndër vite.

Ndërsa, Prof. Dr. Sotir Dimoshi (post mortem), i njohur për kontributin e tij në industrinë e drurit dhe arsimin e lartë, ka lënë pas një trashëgimi të pasur me studime shkencore, tekste universitare dhe mbështetje ndaj studentëve nga Kosova.
Fjalimi u mbajt nga vajza e tij, Ardita Dimoshi, e cila shprehu mirënjohjen e familjes dhe vuri në pah jetën e tij të përulur, të ndërtuar mbi punë të ndershme, përkushtim ndaj dijes dhe ndikimin e tij të qëndrueshëm në komunitet.

Senati i UShAF-it ka ndarë titullin “Doctor Honoris Causa” për ta nderuar kontributin e tyre të çmuar akademik dhe ndikimin e gjerë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.