Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, mori pjesë në Konferencën e 9-të Vjetore të Shtyllës për Shkencë, Arsimi, Kërkim dhe Inovacion, të mbajtur në kuadër të Procesit të Berlinit, që u zhvillua në Ljubljanë të Sllovenisë.

Konferenca, me temën “Shkenca nën Presion – Sfidat dhe Mundësitë”, u organizua nën patronatin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Akademisë Gjermane të Shkencave Leopoldina, dhe mblodhi figura të shquara nga bota akademike, përfaqësues të lartë të institucioneve publike, organizatave ndërkombëtare dhe komunitetit shkencor nga vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Evropian.

Në konferencë u diskutua edhe roli i shkencës dhe universiteteve në forcimin e sigurisë së vendeve që synojnë anëtarësimin në BE, në një periudhë të ndikuar nga lufta në Ukrainë dhe tensionet globale. Po ashtu, një pjesë e rëndësishme e debatit iu kushtua kontributit të shkencës në mbrojtjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe më gjerë.

Gjatë sesioneve të konferencës, Rektori Bajraktari kontribuoi në diskutime të thelluara rreth forcimit të lirisë akademike dhe autonomisë institucionale, rolit të shkencës në zhvillimin ekonomik dhe konkurrencën rajonale, shkencës për siguri kombëtare dhe demokratike, si dhe për sfidat dhe potencialin e bashkëpunimit ndërkufitar në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.

Pjesëmarrja e Rektorit Bajraktari në këtë ngjarje të nivelit të lartë përfaqëson jo vetëm angazhimin e tij personal dhe institucional në nxitjen e shkencës dhe inovacionit në Kosovë, por gjithashtu kontribuon në forcimin e pozicionit të Kosovës në proceset integruese evropiane përmes arsimit dhe kërkimit cilësor.

Konferenca përfundoi me një sesion për hartimin e Deklaratës së Përbashkët, e cila do të shërbejë si bazë për rekomandimet që do t’i dorëzohen Samitit të Liderëve të Ballkanit Perëndimor në Londër, me synim rritjen e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit të shkencës nga Ballkani Perëndimor në hapësirën kërkimore evropiane.