Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), gjatë muajit shtator ka organizuar një punëtori tre-ditore së bashku me delegacionin austriak nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Salzburg, me qëllim zhvillimin e programit të përbashkët Joint Degree me titull: “Sustainable Architecture and Civil Engineering for a Circular Future.”

Punëtoria mblodhi akterë të rëndësishëm nga industria e drurit, arkitektura, ndërtimtaria, sektori i real estate, si dhe studentë, alumni dhe staf akademik, duke krijuar një hapësirë të gjallë për diskutim, shkëmbim idesh dhe ndërtim të vizionit të përbashkët.

Gjatë sesioneve u trajtuan tema kyçe si ndryshimet klimatike dhe dekarbonizimi në sektorin e ndërtimit, nevojat e studentëve dhe faktorët kryesorë që nxisin zhvillimin. Pjesëmarrësit u ndanë në grupe pune për të analizuar tre skenarë të ndryshëm: të nxitur nga inovacioni, nga materialet dhe nga autoritetet, duke nxjerrë në pah rëndësinë e një qasjeje të integruar për të ardhmen e programit.

Rektori Prof. Agron Bajraktari, në fjalën e tij përshëndetëse tha se beson fuqishëm se përpjekjet e përbashkëta të nisura përmes kësaj punëtorie do të sjellin sukses të rëndësishëm për të dy universitetet tona. Ai, shtoi se vizionin tonë e shohim të përqendruar në krijimin e një programi të përbashkët, ku studentët do të fitojnë njohuri dhe aftësi të avancuara në arkitekturë, ndërtimtari dhe inxhinieri të qëndrueshme.