Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Universitetin e Sunderlandit në Londër (UoSiL), duke hapur mundësi të reja bashkëpunimi ndërkombëtar. Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, dhe Alan Hardie, Prorektor i UoSiL.

Rektori Bajraktari, gjatë vizitës në këtë institucion britanik, u prit nga menaxhmenti i lartë dhe stafi akademik. Vizita përfshiu takime dhe diskutime mbi fushat e përbashkëta të interesit, një prezantim të kampusit të universitetit në Londër, si dhe një takim të veçantë me studentët, ku Rektori ndau përvoja dhe vizione mbi zhvillimin e ardhshëm akademik.

Memorandumi i nënshkruar parasheh zhvillimin e programeve të përbashkëta bachelor dhe master, arsimin ndërkombëtar dhe projektet e përbashkëta kërkimore në fusha si Turizmi dhe Ambienti, Biznesi dhe Menaxhimi, Inxhinieria dhe Informatika, si dhe Artet e Aplikuara.

Rektori Bajraktari tha se vizita në UoSiL ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të forcuar bashkëpunimin në shkëmbimin e njohurive dhe përmirësimin e përvojës studentore. Gjithashtu, Rektori tha se takimet me ekipin drejtues dhe angazhimi me studentët ishin frymëzues dhe na japin besim për ndërtimin e një partneriteti afatgjatë e kuptimplotë.

Edhe Blerton Hyseni, Ligjërues i Lartë dhe Menaxher i Programit Turizëm dhe Mikpritje, vuri në dukje rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe ndër tjera tha se ishte nder dhe kënaqësi të mirëpriste Rektorin Bajraktari. Poashtu, ai u shpreh i bindur se ky Memorandum do të krijojë mundësi të reja për studentët dhe do të forcojë shkëmbimin akademik mes institucioneve tona.

Ky Memorandum shënon fillimin e një partneriteti që pritet të sjellë përfitime të ndërsjella dhe projekte të reja bashkëpunuese në të ardhmen.