Të nderuar qytetarë të Kosovës,
Dita kur trupat e NATO-s hynë në Kosovë shënoi një kthesë historike për vendin tonë, fundin e një periudhe të errët të dhimbjes, vuajtjeve dhe shkatërrimit të shkaktuar nga agresori serb ndaj popullit shqiptar.
Në këtë tokë, ku breza të tërë kanë luftuar dhe janë flijuar për liri, më në fund u realizua ëndrra shekullore e çlirimit. Liria e Kosovës erdhi si rezultat i qëndresës heroike dhe sakrificës së dëshmorëve, që i qëndruan besnikë idealit të atdheut.
Kurrë nuk do ta harrojmë mbështetjen e pazëvendësueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe gjithë vendeve mike, që na qëndruan pranë në kohët më të vështira, në betejën për liri dhe shtet.
Kjo ditë do të jetojë përjetësisht në historinë tonë, së bashku me dëshmorët, martirët, intelektualët dhe patriotët që i dolën zot Atdheut.
Lavdi e përjetshme të gjithë atyre që flijuan jetën për Lirinë!
E gëzofshim lirinë brez pas brezi!
Me respekt,
Prof. Dr. Agron Bajraktari, Rektor