Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) në bashkëpunim me Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Salzburg, përmbylli me sukses punëtorinë “Workshop Circularity”, e cila u mbajt nga 24 deri më 28 Shkurt 2025 në ambientet e UShAF.

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte eksplorimi i koncepteve të ekonomisë rrethore, efikasiteti i resurseve, si dhe praktikat e qëndrueshme në arkitekturë dhe dizajn.

Gjatë pesë ditëve intensive, studentë dhe profesorë të të dy universiteteve punuan së bashku për të analizuar metodat e ndërtimit, ndikimin e ndryshimeve klimatike në dizajn, si dhe qasjet e reja rreth dizajnit të çmontueshëm dhe të riciklueshëm të ndërtesave.

Pjesëmarrësit patën mundësinë të realizojnë vizita studimore në terren në disa lokacione kyçe, duke përfshirë Kompaninë InstaBuilt në Vushtrri, Muzeun Etnologjik në Prishtinë dhe Prishtina Mall, ku u njohën me materiale dhe teknika të ndryshme të ndërtimit modern dhe tradicional. Në kuadër të studios “Circularity”, studentët punuan në grupe për të zhvilluar projekte konkrete mbi dizajnin e qëndrueshëm, të cilat do të prezantohen më 17 mars 2025.

Përveç aktiviteteve akademike, punëtoria përfshiu edhe angazhime sociale që kontribuan në forcimin e lidhjeve mes studentëve dhe profesorëve nga të dy universitetet.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, vlerësoi këtë iniciativë si një hap të rëndësishëm në avancimin e njohurive praktike të studentëve dhe përforcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar, Bashkëpunim ky që ka filluar qe më shumë se 15 vite.

Punëtoria përfundoi me prezantime të projekteve dhe shkëmbim të përvojave, përderisa pjesëmarrësit do të vazhdojnë të punojnë në projekte të ngjashme përmes sesioneve pasuese online.