Ceremoni për nderë të Ditës Ndërkombëtare të Gruas në UShAF
Sot, në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), u zhvillua një ceremoni modeste me rastin e 8 Marsit-Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ku u mirëpritën gratë veterane të luftës, të shoqëruara nga kryetari dhe nënkryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës.
Në këtë ditë të veçantë, me respekt dhe mirënjohje të thellë, u ndanë dhurata simbolike, të cilat u përgatitën me përkushtim nga stafi dhe studentët e Fakultetit të Arteve të Aplikuara në UShAF, në bashkëpunim me nxënësit e Shkollës së Arteve në Ferizaj.
Këto dhurata nuk ishin thjesht objekte simbolike, por një shprehje e vlerësimit për kontributin dhe sakrificën e grave veterane të luftës, të cilat kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare. Gjatë këtij aktiviteti, në fytyrat e tyre u lexua emocioni dhe mirënjohja, duke na bërë edhe më të vetëdijshëm për rëndësinë e kujdesit dhe respektit të vazhdueshëm ndaj tyre.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, falënderoi të gjithë organizatorët dhe kontribuuesit e këtij aktiviteti, përfshirë Fakultetin e Arteve të Aplikuara në UShAF, Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Ferizajt dhe Shkollën e Arteve, në Ferizaj. Ai shprehu gatishmërinë e universitetit për të mbështetur pa rezervë iniciativa të tilla, të cilat nderojnë dhe vlerësojnë rolin e gruas në shoqëri.
UShAF mbetet i përkushtuar në promovimin e vlerave dhe respektit ndaj figurave që kanë dhënë kontribut të çmuar për vendin tonë.