UShAF sot shënoi ngjarjet e rëndësishme të muajit Mars
Në ambientet e sallës “Kalorësi i Lirisë”, në rektoratin e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), u organizua aktivitet për të përkujtuar dhe nderuar tri data me rëndësi për kombin dhe shoqërinë tonë.
Gjatë kësaj ceremonie, duke shënuar 27 vjetorin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u përkujtua heroizmi i familjes Jashari dhe i të gjithë atyre që flijuan jetën për lirinë e vendit tonë. Poashtu, u përmend 7 Marsi – Dita e Mësuesit, datë kjo që kujton vlerat dhe rolin e rëndësishëm të mësuesve në edukimin e shumë brezave për zhvillim dhe atdhedashuri. Nuk u la anash as 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas, që është një moment reflektimi mbi të drejtat, sfidat dhe kontributin e grave në të gjitha fushat e shoqërisë sonë.
“Sot jemi mbledhur për të kujtuar sakrificën e heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si themelin e lirisë sonë, falë të cilëve ne sot gëzojmë lirinë. Kemi nderin që në këto data të rëndësishme të historisë së popullit tonë të përkujtojmë kontributin dhe flijimin e tyre për atdhe. Do t’i kujtojmë gjithmonë me përulje e krenari dhe uroj që sakrificën e tyre ta shpërblejmë me edukim cilësor të brezave, sepse vetëm kështu mund të vazhdojmë rrugëtimin që nisën ata”, tha Rektori, Prof. Dr. Agron Bajraktari.
Rektori, gjithashtu tha se Dita e Mësuesit dhe Dita Ndërkombëtare e Gruas janë momente të veçanta për të rikujtuar dhe çmuar kontributin e vazhdueshëm të mësimdhënësve dhe grave në ndërtimin e një shoqërie të emancipuar.
Pas një minuti heshtjeje për të rënët për liri, para të pranishmëve u shfaq një dokumantar, që solli në vëmendje idealet dhe përpjekjet e popullit tonë në rrugën e gjatë dhe të vështirë drejt lirisë.