UShAF nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi me Programin SHER

Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) ka nënshkruar Marrëveshje Bashkëpunimi me Programin “Sustainable Higher Education and Research“ (SHER).

Kjo Marrëveshje synon mbështetjen e universitetit në rishikimin e dokumenteve strategjike, përditësimin e rregulloreve, si dhe përgatitjen dhe zbatimin e financimit të bazuar në performancë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI). Poashtu, Marrëveshja përfshin mbështetje për përditësimin e Planit për Barazinë Gjinore dhe organizimin e aktiviteteve për ndërkombëtarizim, sigurimin e cilësisë, barazinë gjinore, përfshirjen, mësimdhënien dhe kërkimin shkencor.

Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes, të pranishëm nga UShAF ishin menaxhmenti i lartë i Universitetit dhe studentët, ndërsa nga SHER ishin: znj. Veronika Nitsche, Drejtoreshë Menaxhuese e organizatës WUS Austria, si dhe Udhëheqëse e Konszorciumit në kuadër të Programit SHER z. Aqim Emurli, Lider i  Ekipit të Programit SHER, dhe Nehat Dervishi, Koordinator Tematik në SHER.

Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, duke theksuar se shumica e zhvillimeve të Universitetit janë mbështetur dhe realizuar në frymën e institucioneve austriake, falënderoi z. Nitche dhe përfaqësuesit e tjerë të programit SHER për fillimin e këtij bashkëpunimi, i cili pritet të jetë një mbështetje e rëndësishme për universitetin.

Ndërsa, drejtoresha Nitsche, falënderoi Rektorin për bashkëpunimin që ndër vite dhe vec tjerash theksoi se gjithmonë ndihet e lumtur kur i ipet mundësia të vizitojë UShAF.

Pas nënshkrimit të Marrëveshjes, përfaqësuesit e SHER vizituan hapësirat e UShAF, ku studentët e Fakultetit të Arteve të Aplikuara, në bashkëpunim me nxënësit e Shkollës së Mesme të Artit në Ferizaj, po realizonin pikturimin e vazove dhe krijimin e kartolinave me mesazhe të veçanta për 8 Marsin – Ditën e Gruas. Këto punime do t’u dhurohen grave veterane të luftës së UÇK-së si shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributin e tyre.

Si një falënderim simbolik për mbështetjen e vazhdueshme të WUS Austria ndaj UShAF, një nga vazot e pikturuara iu dhurua znj. Veronika Nitsche.