Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) dhe Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, nënshkruan Marrëveshje Bashkëpunimi, e cila synon të krijojë bashkëpunim akademik dhe shkëmbim përvojash mes dy universiteteve.
Marrëveshja u nënshkrua gjatë një vizite nga stafi akademik dhe studentët e UShAF në Universitetin e Shkodrës.
Në prani të studentëve dhe stafit, rektorët e dy universiteteve nënshkruan Marrëveshjen dhe theksuan rëndësinë e këtij bashkëpunimi për zhvillimin akademik dhe shkencor, shkëmbimin e përvojave, përafrimin e programeve dhe organizimin e projekteve e aktiviteteve të përbashkëta kërkimore.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, vlerësoi gatishmërinë e Universitetit të Shkodrës për bashkëpunim dhe mundësinë e ofruar për stafin akademik dhe studentët e UShAF që të ndjekin studimet për doktoratë në fushën e turizmit në këtë universitet, duke theksuar rëndësinë e kësaj fushe për zhvillimin ekonomik dhe kulturor të vendit dhe rajonit.
Ndërsa, Rektori i Universitetit të Shkodrës, Prof. Dr. Tonin Gjuraj vlerësoi nënshkrimin e kësaj Marrëveshje si një hap të rëndësishëm për forcimin e partneritetit ndëruniversitar.
Një iniciativë kreative u mirëprit nga të dyja palët, ku studentët e Arteve të Aplikuara nga UShAF do të kontribuojnë në zbukurimin e ambienteve të Universitetit të Shkodrës me krijime artistike, të cilat do të realizohen nga vetë studentët.