Rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), Prof. Dr. Agron Bajraktari, sot zyrtarisht ua dorëzoi çmimin “Doctor Honoris Causa” profesorëve nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Salzburg të Austrisë, Dr. Alexander Petutschnigg dhe Dr. Michael Ebner.
Profesorët Petutschnigg dhe Ebner, dy laureatë nga Universiteti Shkencave të Aplikuara të Salzburgut, kontribuan në orientimin strategjik të UShAF, duke mbështetur edhe në zhvillimin e programeve moderne që tanimë ka të akredituara Universiteti.
Rektori Bajraktari falënderoi të gjithë të pranishmit, e në mënyrë të veçantë profesorët me renome botërore, për kontributin e vazhdueshëm për UShAF. Gjithashtu, Rektori theksoi se UShAF dhe Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Salzburg ka një bashkëpunim të shkëlqyer qysh prej 15 vitesh, ku në veçanti ky Universitet iu përgjigj secilës kërkesë që kishim për punën tonë. Po ashtu ai shprehu mirënjohje për stafin e këtij Universiteti, e në veçanti për profesorët Petutschnigg dhe Ebner”.
“Këta profesorë të nderuar, që na ndihmuan të bëjmë Universitetin një tregim suksesi për një kohë të shkurtër, u bënë pjesë e historisë së Universitetit dhe arsimit të lartë në Kosovë. Prandaj, me falënderimet e përzemërta të mësimdhënësve, studentëve dhe qytetarëve të Ferizajt, ne po i nderojmë dy nga ata me titullin “Doctor Honoris Causa”, tha Rektori.
Ndërsa, Kryetari i Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, falënderoi në mënyrë të veçantë Rektorin Bajraktari dhe stafin e Universitetit për punën e tyre shkencore dhe kontributin në zhvillimin e të rinjve tanë. Gjithashtu, theksoi se me ndarjen e këtyre çmimeve, Universiteti u plotësua edhe më tutje me të arriturat akademike, duke i falënderuar në veçanti profesorët Petutschnigg dhe Ebner, dhe duke i uruar për titullin “Doctor Hanoris Causa” të ndar nga Universiteti.
Profesorët Petutschnigg dhe Ebner, falënderuan UShAF për çmimin dhe shprehën gatishmërinë për të kontribuar edhe më tutje në zhvillimin e Universitetit. Mes tjerash, ata kujtuan fillet e para të bashkëpunimit në qëllime shumë të mëdha, ku tani janë të impresionuar me zhvillimin e shpejtë dhe të suksesshëm të Universitetit në arritjen e qëllimeve të mëdha që synoheshin para 8 viteve.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve, është mbyllur me Ekspozitën e studentëve të UShAF nga të gjitha programet “Profesionistët e së Ardhmes 2023”, në të cilën studentët prezantuan punimet dhe kreativitetin e tyre të realizuar gjatë vitit akademik.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin: Kryetarë të komunave, deputetë të Kuvendit të Kosovës, Rektorë dhe përfaqësues nga Universitetet publike dhe kolegjet private, nga
Policia e Kosovës, KFOR-i, FSK, përfaqësues të bizneseve partnere, organizata jo qeveritare, drejtorë të shkollave të mesme, stafi akademik, administrativ dhe studentët e Universitetit.