Për nderë të Epopesë së UÇK –së, sot në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) është mbajtur një takim për të kujtuar veprën heroike të familjes Jashari.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajrakari në fjalimin e tij të mbajtur gjatë këtij takimi tha: “Ne, gjenerata jonë dhe shumë gjenerata para nesh përjetuam dhunë sistematike, luftë, vrasje, arrestime, etj., por ndihemi krenarë që i takojmë gjeneratës që e shpalli pavarësinë e Kosovës”.
Rektori tha se për këtë, më meritorët janë ata që kanë dhënë jetën gjatë shekujve, pra në kohë dhe etapa të ndryshme, por theksoi se ajo që bëri kthesën dhe u kurorëzua me lirinë e vendit është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përkatësisht familja e komandantit legjendar Adem jashari.
Gjithashtu, Rektori Bajraktari tha se armiku ishte gënjyer se duke shkatërruar familjen Jashari, do të godiste bërthamën e UÇK-së, e që do t’i ndalte hovin rezistencës. Por kjo, tha Rektori, arriti një efekt tjetër të kundërt, sepse populli u mobilizua dhe u rreshtua rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lufta për liri u bë edhe më e fuqishme deri në çlirimin e Kosovës.
Gjatë këtij takimi të mbajtur për nderë të Epopesë së UÇK-së morën fjalën edhe profesorë të Universitetit, të cilët folën për historinë e lavdishme të familjes Jashari dhe u nderua jeta dhe vepra e të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për liri.