Në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), u hap edicioni i pestë i ekspozitës “Profesionistët e së Ardhmes”, e cila organizohet çdo vit në UShAF, ku studentët e të gjitha fakulteteve ekspozojnë kreativitetin e tyre përmes punimeve të ndryshme.
Para ceremonisë së hapjes zyrtare të Ekspozitës, u zhvillua një bisedë me Rektorin e UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, Kryetarin e Komunës së Ferizajt, z. Agim Aliu, mësimdhënësen, znj. Binaze Jashari dhe kryetaren e Parlamentit Studentor, Erblina Asani, ku studentët patën rastin t’i drejtojnë pyetje të ftuarëve dhe të bisedojnë rreth çështjeve të ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimin e mëtejmë të Universitetit.
Rektori Bajraktari falënderoi të gjithë të pranishmit dhe u uroi studentëve dhe stafit përmbylljen e vitit akademik, duke iu dëshiruar suksese në vitin që vijon.
Rektori Bajraktari tha se Ekspozita është një traditë që përcillet qe pesë vite në UShAF, ku studentëve u ipet mundësia të shpalosin talentin dhe angazhimin e tyre. Ai falënderoi kryetarin Aliu dhe tha se është një nga figurat që ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e Universitetit tonë.
Ndërsa, Kryetari Aliu tha se është kënaqësi e jashtëzakonshme dhe një mundësi e artë që në këtë takim, në prani të të gjithëve të falënderoj Rektorin Bajraktari dhe gjithë stafin e Universitetit për punën e bërë dhe transformimin e këtij Universiteti në një institucion që i ka munguar Kosovës. Ai mëtej shtoi se bashkëpunimi me UShAF ka qenë gjithmonë frytdhënës dhe se është i lumtur që në zhvillimin e qytetit të Ferizajt ky Universitet ka dhënë një kontribut të madh duke krijuar me qindra Marrëveshje me biznese, falë të cilave Ferizaj është bërë kryeqendër e zhvillimit të biznesit.
Duke parë zhivillimin e hovshëm të Universitetit, Kryetari Aliu tha se ky institucion meriton një hapësirë më të madhe, e cila është menduar të realizohet në kuadër të projekteve dhe vizionit të Komunës, me ç’rast është planifikuar zhvendosja e lokacionit të Universitetit tek Parku i Lirisë, ku 10 deri 14 hektarë janë menduar t’i dedikohen kampusit të UShAF.
Pas fjalëve të Kryetarit, Rektori Bajraktari falënderoi z. Aliun rreth planeve të komunës për zhvendosjen e lokacionit të Universitetit dhe theksoi se i është shumë mirënjohës për kontributin e dhënë Universitetit që të bëhet një qendër e njohur jo vetëm në nivel kombëtar por edhe atë ndërkombëtar.
Mësimdhënësja Binaze Jashari, e cila punon qe 35 vite në këtë institucion, përmendi sfidat me të cilat është ballafaquar institucioni për të arritur suksesin që ka sot.