Përpunimi i drurit në Kosovë, ka qenë prej kohësh shtylla e ekonomisë dhe mirëqenies sociale në vend. Fatin që këtë traditë prodhimi ta trashëgojë nga familja e tij e kishte edhe studenti Drilon Rexhepi, i cili aktualisht ndjekë studimet master në Fakultetin e Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, programi Arkitektura dhe Dizajni i Interierit me Prodhime nga Druri.
Ndërmarrja EFD, dikur ndërmarrje e vogël për përpunimin e drurit, sot është në mesin e ndërmarrjeve shumë të suksesshme në rajonin e Ferizajt dhe më gjerë. E gjithë kjo punë është arritur falë njohurive profesionale të fituara të Drilonit, i cili arrinë bindshëm ta menaxhojë këtë ndërmarrje në të gjitha aktivitetet e saj, përfshirë projektimin e produkteve inovative nga druri masiv dhe gjysmë fabrikatet, operimin e makinave moderne me komandim numerik, si dhe plasimin e produkteve në vend dhe jashtë vendit.
“Nëse mendoni të jeni një ndërmarrës i mirë, ju duhet të dini se si të arrihet deri te rruga për përfitimin e njohurive profesionale të cilat zakonisht vijnë natyralisht nga njerëz që kanë përvojë të madhe e të suksesshme në fushën e prodhimit. Unë pata fatin dhe kënaqësinë të jem pjesë e UShAF, përkatësisht Fakultetit të Arkitekturës, Dizajnit dhe Teknologjisë së Drurit, me ç`rast edhe sot vijoj studimet master, nga të cilat frymëzohem, e plotësohem me njohuri të përgjithshme nga kjo fushë e studimit”, thotë Driloni.
Sot, thekson ai, falë këtyre njohurive arrijë të menaxhoj ndërmarrjen “EFD”, e cila posedon makineri moderne CNC, me anë të të cilave arrihet prodhim cilësor i mobilieve, i cili vazhdon të kërkohet ditë e më shumë brenda dhe jashtë vendit.
Driloni inkurajon të gjithë të rinjtë të studiojnë në fusha profesionale, për të marrë njohuri të shumta që lehtë sot zbatohen në tregun e punës, sidomos në lëminë e prodhimit të mobilieve.
Ndërkaq, Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari, falënderon të gjithë studentët e UShAF që me të arriturat e tyre po e bëjnë krenar Universitetin dhe të dashur për të rinjt tanë. Ai inkurajon të gjithë studentët të ndjekin rrugën e Drilonit, duke arritur në majat e suksesit.