Profesionalizmi i studentëve të Arteve të Aplikuara po kërkohet nga tregu i punës dhe punësimi i tyre ka filluar të rritet çdo ditë e më shumë.
Samire Neziri është studente e këtij Fakulteti në programin “Dizajni Grafik dhe Multimedia” dhe ka 3 muaj që është e punësuar në Shtypshkronjën “InterGraf”, me të cilën tanimë UShAF është në Marrëveshje Bashkëpunimi. Samira është e lumtur që ende pa i përfunduar studimet ka arritur që të realizojë dëshirën e saj për të punuar në profesionin e saj. Ajo falënderon profesorët e UShAF, që përveç njohurive profesionale, i dhanë asaj edhe motiv të vazhdueshëm për tu avancuar në profesionin e saj.
Rektori i UShAF, Prof. Dr. Agron Bajraktari shprehu mirënjohje për të gjithë studentët e UShAF që po e bëjnë krenar universitetin me të arriturat e tyre. Poashtu, ai falënderoi Shtypshkronjën InterGraf për mbështetjen dhe mundësinë e dhënë studentëve.
Ndërsa, pronari i InterGraf, z. Naim Kurtaliqi u shpreh i kënaqur që tanimë edhe biznesi i tij do të ketë profesionist të rinjë. Veç tjerash, ai kërkoj edhe 5 studentë të këtij programi që t’i bashkohen Shtypshkronjës së tij për të realizuar punën praktike.
Intergraf është njëra ndër shtypshkronjat më të mëdha në rajonin e Ferizajt, e cila realizon të gjitha llojet e shtypshkrimeve: libra, revista, broshura, albume, katalogje, kalendar, etiketa, postera, fletëpalosje, fletëvolante, botime, si dhe reklama të ndryshme.